Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar një shtetas serb në komunën e Leposaviqit, i cili është kapur gjatë shpërndarjes së afisheve me përmbajtje nxitëse në gjuhën serbe.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, afishet e shpërndara përmbanin mesazhe që lidhen me veprën penale “Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”.
“Gjatë patrullimit në Leposaviq, njësitet policore kanë hasur një person, shtetas serb, duke shpërndarë afishe në gjuhën serbe. Përmbajtja e tyre është klasifikuar si nxitëse dhe potencialisht përbën vepër penale”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari është intervistuar nga organet kompetente dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është duke u trajtuar më tej nga institucionet përkatëse.
Policia nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e afisheve apo identitetin e të dyshuarit.
