Shtëpia e Bardhë i kërkon Zelenskyt të vishet ‘më seriozisht’ për takimin me Trump”

Para 8 muaj

Veshja e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky është rikthyer si temë diskutimi në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, përpara takimit të sotëm me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Zyrën Ovale, raportoi Axios duke cituar burime të brendshme.

Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë kanë pyetur paraprakisht ekipin ukrainas nëse Zelensky do të veshë një kostum zyrtar për takimin – një gjë që nuk ndodhi në takimin e tyre të kaluar, i cili, siç raportojnë mediat, u shndërrua në një fiasko diplomatike për shkak të pamjes “jozyrtare” të liderit ukrainas.

“Stil kostumi, por jo kostum i vërtetë”

Burimet e Axios konfirmojnë se Zelensky do të shfaqet me të njëjtën xhaketë të zezë që kishte veshur në samitin e NATO-s në Holandë, duke ruajtur një pamje mes casual-it ushtarak dhe formales diplomatike.

“Do të jetë stil kostumi, por jo një kostum i vërtetë,” – ka thënë një nga burimet, duke shtuar se Trump dhe ekipi i tij nuk e pritën mirë pamjen ushtarake të Zelenskyt në takimin e fundit në mars.

Trump dhe JD Vance, kritikë për pamjen e Zelenskyt

Një këshilltar i Trump, në mënyrë gjysmë-shaka, tha për Axios se “do të ishte një gjest i mirë për paqen” nëse Zelensky do të vinte me kostum të vërtetë këtë herë. Madje, një tjetër burim shtoi se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ishte edhe më i mërzitur se vetë Trump për stilin e veshjes së liderit ukrainas.

“Nuk ishte vetëm për shkak të rrobave. Kishte pakënaqësi më të thellë,” – citohet të ketë thënë një zyrtar i administratës Trump.

Stilistja ukrainase: Zelensky pritet të zgjedhë pamje më serioze

Stilistja Elvira Gasanova, e cila ka punuar më parë me Presidentin ukrainas, deklaroi për Fox News se Zelensky është i vetëdijshëm për kritikat dhe me gjasë do të zgjedhë një veshje më të përmbajtur dhe serioze.

“Nuk pres që të shfaqet me bluzë polo. Më shumë gjasa do të veshë një uniformë më formale – si një xhaketë e zezë ushtarake ose këmishë me pantallona. Ai e kupton simbolikën e veshjes në diplomaci,” – tha Gasanova.

Nga uniforma ushtarake te diplomacia e imazhit

Zelensky, që prej fillimit të agresionit rus në shkurt 2022, është shfaqur pothuajse gjithmonë në publik me veshje në stil ushtarak, një element që është kthyer në pjesë të identitetit të tij politik dhe një formë simbolike rezistence. Megjithatë, duket se me kthimin e Trump në Zyrën Ovale, edhe forma diplomatike e paraqitjes po kalon në rishikim.

Burimi: Axios, Fox News