Shqiptarët dominojnë punët fizike në Gjermani – Bruegel: 90% e tyre në profesione me aftësi të ulëta dhe të mesme

Para 1 muaj

Emigrantët shqiptarë vazhdojnë të luajnë një rol kyç në tregun gjerman të punës, por kryesisht në sektorët bazë. Sipas të dhënave të publikuara nga Bruegel, shumica dërrmuese e shqiptarëve në Gjermani janë të punësuar në punë fizike, gjysmë-të kualifikuara ose zanate teknike, duke qenë ndër grupet me përfaqësimin më të ulët në profesionet e kualifikuara dhe ato akademike.

Raporti tregon se 40.84% e shqiptarëve punojnë si “helper”, në sektorë që përfshijnë logjistikën, ndërtimin, shërbimet dhe industrinë bazë. Kjo përqindje është ndjeshëm më e lartë se tek emigrantët nga vendet e tjera të Ballkanit, si Bosnja (30.43%) dhe Serbia (33.59%).

Ndërkohë, 48.94% e shqiptarëve klasifikohen si “skilled workers”, duke punuar në profesione teknike, zanatçinj, instalime dhe mekanikë – profesione që kërkojnë aftësi praktike dhe arsim profesional. Megjithatë, përfaqësimi në nivelet e larta profesionale mbetet i kufizuar: vetëm 4.54% janë “specialistë” dhe 5.53% “ekspertë”, si inxhinierë, mjekë, IT, infermierë të kualifikuar apo ekspertë financiarë.

Në total, 89.78% e shqiptarëve në Gjermani janë të përqendruar në dy kategoritë më të ulëta të aftësive, duke e pozicionuar Shqipërinë pas vendeve të tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë nivel më të lartë të punëtorëve të kualifikuar.

Sipas analizës së Bruegel, kjo strukturë e fuqisë punëtore shqiptare pasqyron kërkesën e lartë të tregut gjerman për punë bazë, por njëkohësisht tregon mungesën e profesionistëve të kualifikuar nga Shqipëria. Kjo situatë krijon sfida afatgjata për tregun shqiptar të punës, duke rritur rrezikun e mungesës së specialistëve në sektorë kyç, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga migracioni për profesione fizike dhe teknike.