Këngëtarja shqiptare Beatriçe Gjergji, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision 2025 me projektin “Shkodra Elektronike”, ka tërhequr vëmendje të madhe pas kualifikimit në finalen e madhe të festivalit evropian të këngës.
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, Gjergji formoi simbolin e shqiponjës dykrenare me duart e saj para kamerës – një gjest që u përshëndet gjerësisht nga fansat shqiptarë, por që ndezi reagime të ashpra në mediat serbe. Këto të fundit e quajtën gjestin “provokim politik” dhe bënë thirrje për përjashtimin e Shqipërisë nga gara.
Megjithatë, Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka reaguar duke sqaruar se nuk ka ndodhur asnjë shkelje të rregullave të Eurovisionit. “Gjesti është një shprehje e identitetit shqiptar dhe rrjedh nga flamuri shqiptar. Flamujt kombëtarë lejohen brenda Konkursit të Këngës në Eurovision, kështu që nuk do të hyjmë në këtë çështje në detaje,” – thuhet në deklaratën zyrtare të EBU-së për median.
Rregullorja e Eurovisionit ndalon mesazhet dhe simbolet politike në skenë, por lejon flamujt dhe elementet kulturore të identitetit kombëtar, çka përjashton veprimin e këngëtares shqiptare nga çdo penalizim.
Performanca e Shqipërisë u vlerësua gjerësisht për energjinë dhe stilin unik të saj, duke siguruar një vend të merituar në finalen e madhe.
