Shqipëria renditet në vendin e shtatë në botë dhe të pesin në Evropë për çmimin më të lartë të naftës, duke lënë pas shtete të pasura si Norvegjia, Finlanda e Irlanda. Në kontinent, përpara saj qëndrojnë vetëm Islanda, Lihtenshtajni dhe Danimarka.
Një litër naftë në pikat shqiptare të karburanteve kushton gati dyfish më shumë sesa në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut apo Kosovë, duke e bërë Shqipërinë kampione rajonale për çmimin më të lartë.
Sipas analizës, çmimi i naftës përbëhet nga dy elementë kryesorë: çmimi i bursës ndërkombëtare dhe taksa apo tarifa të vendosura nga qeveria shqiptare. Edhe pse çmimi i bursës është rritur në mënyrë të moderuar, zhvlerësimi i dollarit duhej të kishte ulur çmimin final – gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri.
Ndërkohë, vendi ka shënuar rekord historik në importin e karburanteve. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nga janari në maj janë importuar afro 280 mijë tonë karburant, një rritje prej 12.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo situatë ngre pyetje serioze mbi transparencën në formimin e çmimit të naftës dhe rolin e qeverisë në kontrollin e tregut, në një kohë kur Shqipëria përballet me kosto të larta jetese dhe nivel të ulët të të ardhurave për frymë.
