Tre persona të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Bajr të Mitrovicës
Një shpërthim i bombolës së gazit në një shtëpi në Bajr të Mitrovicës ka lënduar tre persona. Ata janë dërguar menjëherë për trajtim në spitalin e Mitrovicës.
Zëdhënësja e spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa, ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të viktimave për Klankosova.tv. Ajo ka pohuar se të lënduarit, dy burra dhe një grua, kanë pësuar lëndime në duar dhe fytyrë, por ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Pas marrjes së tretmanit të parë, të lënduarit janë udhëzuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë, ku do të konsultohen me kirurgun plastik.
