Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku vetura e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Osman Hajdari, është dëmtuar nga një mjet shpërthyes i vendosur në pjesën e përparme të saj.
Hajdari ka dalë në një konferencë për media pas incidentit, duke theksuar se nuk ka asnjë konflikt apo problem personal, dhe se e konsideron këtë akt si një përpjekje për ta ndalur nga puna e tij në vendosjen e rregullit dhe ligjshmërisë në QKUK.
“Rreth orës 08:40 e kam lënë veturën në parking dhe kam vazhduar me punën e përditshme. Pas rreth një ore më njoftuan se ka ndodhur një shpërthim në parkingun e QKUK-së. Kur dola, pashë se mjeti shpërthyes ishte vendosur në makinën time,” deklaroi Hajdari.
Ai shtoi se ky incident ka lidhje të drejtpërdrejtë me detyrën që ushtron dhe përpjekjet për reforma në këtë institucion shëndetësor publik.
“Në jetën time private nuk kam pasur asnjëherë probleme. Ky akt është i lidhur ekskluzivisht me vendosmërinë për të vendosur rregull dhe rend në QKUK. Ndoshta kjo po u pengon grupeve të caktuara të interesit,” tha më tej ai.
Rasti është duke u hetuar nga organet e sigurisë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje shtesë për natyrën e mjetit shpërthyes apo për autorët e mundshëm të sulmit.
