Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj deklaratave publike të disa përfaqësuesve të subjektit politik Guxo dhe zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, lidhur me veprimet e Prokurorisë Speciale në rastin e hetimit ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci, dhe intervistimin e tij nga organet e drejtësisë.
Në reagimin e saj, Shoqata e ka cilësuar të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të bëra ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala.
“Prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet. Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjete për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve,” thuhet në reagimin zyrtar.
Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë akterëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial dhe të përmbahen nga deklaratat që mund të perceptohen si presion ndaj punës së prokurorëve.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të vazhdojë të jetë garantuese e pavarësisë së secilit prokuror në Republikën e Kosovës, duke mbështetur ata që veprojnë me integritet, profesionalizëm dhe në interes të zbatimit të drejtë të ligjit, pa frikë dhe pa favor,” përfundon reagimi.
