Shfaqet Rasti i Parë i Sëmundjes PPR te Dhitë në Shqipëri – Masa të Rrepta në Shkodër

Para 10 muaj

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë ka konfirmuar rastin e parë në Shqipëri të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR), një sëmundje ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Rasti është zbuluar në një fermë në Postribë, Shkodër. Pas analizave laboratorike, është konfirmuar prania e virusit.

Janë marrë menjëherë masa për izolim dhe kontroll sipas Planit Kombëtar të Kontigjencës për PPR. Mbarështuesit këshillohen të shmangin lëvizjen e kafshëve dhe të raportojnë çdo simptomë të dyshimtë në numrin 0800 3366.

Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Autoritetet deklarojnë ndjekje të rreptë të situatës dhe informim të vazhdueshëm.