Sherri i Aeroportit të Vlorës – Pacolli jep deklaratë në Prokurorinë e Tiranës

Para 5 muaj

Biznesmeni dhe ish-kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë deklaratë në lidhje me hetimin që po zhvillohet për konfliktin mes aksionarëve të Aeroportit të Vlorës.

Burime nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se çështja lidhet me një përplasje të ashpër mes kompanive “Mabco Construction SA” – në pronësi të Pacollit – dhe aksionarit të minorancës Valdon Ademi, lidhur me ndarjen e aksioneve dhe investimeve në projektin e aeroportit.

Sipas dokumenteve hetimore, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për tre persona: Behgjet Pacollin, vëllain e tij Emin Pacolli, si dhe administratorin e kompanisë koncesionare. Hetimi është regjistruar për veprat penale “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.

Në qendër të konfliktit ndodhet pretendimi i aksionarit Ademi, i cili ka kallëzuar Pacollin duke pohuar se ka kryer investime që nuk janë reflektuar në strukturën e aksioneve të shoqërisë koncesionare. Ai kërkon rishpërndarje të kapitalit dhe pezullim të disa veprimeve në kompani.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Ademit për masë sigurie, duke pezulluar të drejtën e votës së aksionarit të shumicës dhe duke ndaluar çdo transaksion apo ndryshim të kapitalit derisa të përfundojë hetimi.

Në një deklaratë të shkurtër pas daljes nga Prokuroria, Pacolli ka theksuar se ka respekt të plotë për institucionet shqiptare dhe se “gjithçka do të sqarohet shumë shpejt”. Ai nuk pranoi të japë detaje, duke u mjaftuar të thotë se “është një çështje civile që po keqpërdoret për arsye të tjera”.

Më herët gjatë javës, edhe vëllai i tij Emin Pacolli është paraqitur në Prokurori për të dhënë shpjegime. Ai ka deklaruar se Behgjet Pacolli nuk ka dijeni për veprimet e përditshme të kompanisë, pasi nuk ka të drejtë firme në shoqërinë që zotëron aksionet e aeroportit.

Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, është aktualisht në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe pritet të hapet gjatë vitit 2026.