Shërbimi i Toksikologjisë i promovuar nga Vitia – ende i mbyllur, asnjë pacient i trajtuar

Para 9 muaj

Vetëm tri ditë para zgjedhjeve të 9 shkurtit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, promovoi hapjen e Shërbimit të Toksikologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke e cilësuar si një arritje të re për sistemin shëndetësor në vend. Por, siç raporton Kiks Kosova, ky shërbim asnjëherë nuk është bërë funksional.

Pavarësisht pajisjeve të përmendura si moderne dhe investimeve të deklaruara, askush nuk është trajtuar ndonjëherë në këtë repart. Madje, në raste të urgjencës si ai i pacientit Agon Zejnullahu, analizat toksikologjike u dërguan në Shkup, për shkak se edhe laboratori i toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore ishte jashtë funksionit.

Sipas burimeve të Kiks, dy toksikologët e punësuar – Demush Bajraktari dhe Pëllumb Islami – nuk kanë ushtruar asnjëherë detyrën e tyre, por janë angazhuar në depo si farmacistë për shkak të mungesës së reagencave dhe kushteve për punë.

Kjo u konfirmua edhe nga Astrit Haxhijaha, zëvendëskryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, përmes një përgjigjeje me e-mail.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ia ka kaluar përgjegjësinë Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës (SHKUK), ndërsa nga vetë QKUK-ja nuk ka ende një sqarim zyrtar.

Gjatë një vizite në terren më 10 korrik, ekipi i emisionit Kiks gjeti derën e laboratorit të mbyllur dhe karroca shërbimi të vendosura para saj – me punonjës të cilët pohuan se “askush nuk ka punuar kurrë aty”.

Ky rast po shihet nga shumë qytetarë si një tjetër shembull i promovimeve politike pa përmbajtje reale dhe pa përfitime për qytetarët.