Shenja paralajmëruese në kufirin e Kosovës, KFOR-i forcon masat e sigurisë

Para 9 muaj

Misioni paqeruajtës i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka filluar vendosjen e shenjave të reja paralajmëruese përgjatë kufijve në Kosovë, veçanërisht në zonat malore dhe pyjore.

Sipas një njoftimi zyrtar nga KFOR-i, këto shenja shënojnë qartë zonën e operacioneve të misionit dhe synojnë të reduktojnë rrezikun e kalimeve aksidentale nëpër territore të ndjeshme.

“KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet për të promovuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë përmes patrullimeve të rregullta në veri të Kosovës dhe pranë Vijës Administrative Kufitare,” thuhet në njoftim.

Ky veprim vjen në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme të KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, sidomos në zonat ku tensionet kanë qenë të pranishme kohët e fundit.

Misioni i KFOR-it vepron në përputhje me mandatin e tij nga Kombet e Bashkuara dhe është i pranishëm në Kosovë që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës.