Shaip Kamberi dorëzon iniciativën për tabela të veçanta të regjistrimit për Preshevën

Para 8 muaj

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar një iniciativë zyrtare për të pajisur komunën e Preshevës me tabela të veta të regjistrimit për automjetet.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Kamberi tha se Presheva, njëjtë si çdo komunë tjetër në Serbi, duhet të ketë të drejtën të identifikohet përmes simboleve të saj, përfshirë edhe targat e automjeteve.

“Presheva, njëjtë si komunat e tjera, meriton të identifikohet me emrin e vet. Prandaj kam dorëzuar iniciativë për ta pajisur komunën e Preshevës me tabela të veta të regjistrimit”, shkruan Kamberi.

Ai theksoi se në Preshevë janë të regjistruara 12.387 automjete, ndërsa komuna ka 33.449 banorë rezident dhe gjithsej 59.024 banorë duke përfshirë edhe ata jorezidentë. Sipas tij, këto të dhëna dëshmojnë qartë se kërkesa është e arsyeshme dhe e domosdoshme.

“Presheva meriton trajtim të barabartë dhe simbolet e saj, përfshirë edhe tabelat e regjistrimit, të jenë të pranishme ashtu si në çdo komunë tjetër të Serbisë”, përfundon Kamberi.

Aktualisht, automjetet në Preshevë mbajnë tabela të qytetit të Vranjës, gjë që, sipas Kamberit, nuk reflekton identitetin e vërtetë të kësaj komune me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.