Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, ka realizuar një aksion pas hetimeve disa mujore në dy lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Babush të Ferizajt.
Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, dy vetura dhe një kamion.
Në lidhje me rastin janë arrestuar katër persona të dyshuar, përkatësisht një shtetas i Kosovës, dy shtetas të Serbisë dhe një shtetas i Shqipërisë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh nën dyshimin për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të kërkojë caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.
