Ambasada Gjermane në Prishtinë ka njoftuar se Johann Saathoff, Sekretar Parlamentar i Shtetit pranë Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë më 22 dhe 23 gusht 2025.
Gjatë qëndrimit të tij, Saathoff do të vizitojë Iniciativën për Inovacion dhe Parkun e Trajnimeve në Prizren (ITP), një projekt model që synon të fuqizojë ndërmarrësinë, inovacionin, zhvillimin e bizneseve dhe aftësimin profesional në Kosovë.
Vizita përfshin një sesion informues, si dhe takime me përfaqësues të kompanive që veprojnë brenda parkut teknologjik. Ky angazhim përfaqëson një dëshmi të qartë të përkushtimit të vazhdueshëm të Gjermanisë për të mbështetur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse në Kosovë dhe për të forcuar marrëdhëniet bilaterale.
Pas vizitës në terren, në ambientet e projektit do të mbahet një konferencë për media, ku Sekretari Saathoff do të japë një deklaratë dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
