Seanca konstituive për zgjedhjen e kryeparlamentares dështon – Haradinaj kritikon qasjen e Vetëvendosjes

Para 8 muaj

Seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi zgjedhjen e mëparshme të kryeparlamentares, ka përfunduar pa rezultat. Kandidatet e propozuara, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme të votave nga deputetët, duke çuar në shtyrjen e seancës për datën 22 gusht.

Në lidhje me zhvillimet e ditës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar si një strategji për konsumimin e afatit kushtetues prej 30 ditësh, në vend se përpjekje të sinqertë për gjetjen e një kandidature unifikuese.

“Së pari kandidaturat, që u propozua edhe zonja Gërvalla, nuk mendoj që është qëllimi me ardh deri te një kandidat unifikues. Po të ishte ai qëllimi, do të kishim pasur edhe kandidatura tjera sot. Më shumë VV-ja e paralajmëroi një strategji të konsumimit të këtij 30-ditëshi, duke ardhur kohë pas kohe me kandidatura që janë përjashtuese,” deklaroi Haradinaj në emisionin Debat Plus.

Ai shtoi se AAK është e hapur për të diskutuar një emër që do të mund të merrte mbështetjen e gjerë, dhe se nuk ka nevojë për ndërprerje të panevojshme të seancës.

Ndërkohë, vëmendja është e përqendruar tek seanca e 22 gushtit, ku do të shihet nëse spektri politik do të arrijë një marrëveshje për një kandidaturë që siguron konsensusin e duhur për kryesimin e Kuvendit të Kosovës.