Përfaqësues të vendeve perëndimore, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, si dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, morën pjesë sot në seancën e 52-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, me pritjen se kjo mund të ishte përpjekja e fundit për konstituim brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, pjesëmarrja e trupit diplomatik nuk ndikoi në ndryshimin e situatës politike. Seanca dështoi sërish, pasi Lëvizja Vetëvendosje – si partia fituese – vazhdoi me të njëjtin qasje, duke insistuar në votimin e Komisionit për votim të fshehtë, i udhëhequr nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Partitë opozitare, ashtu si në seancat e mëparshme, mbetën në sallë duke kundërshtuar mbylljen e debatit dhe duke kërkuar të drejtën e fjalës në foltore, gjë që nuk iu lejua nga kryesuesi.
Në momentin kur Dehari ndërpreu seancën, ambasadorët u larguan nga salla, duke sinjalizuar zhgënjimin me mungesën e progresit politik.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nesër (26 korrik) është dita e fundit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar në qershor. Në të kundërtën, në fuqi do të hyjë masa e përkohshme, e cila për dy javë pezullon punën e deputetëve që nuk kanë përmbushur urdhrin kushtetues.
Seanca e radhës është caktuar për nesër në orën 14:00, ndërsa fati i përbërjes së re të Kuvendit mbetet i paqartë në prag të afatit përfundimtar.
