Seanca e 14-të për Kuvendin: Haxhiu e para në sallë, opozita vazhdon kundërshtimet

Para 11 muaj

Pak minuta para se të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, kandidatja për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka arritur e para në ndërtesën e Kuvendit, duke shënuar praninë e parë nga radhët e ligjvënësve.

Vetëvendosje, si partia që doli fituese me më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, mbetet e palëkundur në përkrahjen për Haxhiun, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme nga partitë opozitare. Këto të fundit kanë deklaruar se ajo nuk është kandidatura e duhur për të udhëhequr legjislativin, duke shtuar tensionet në procesin e formimit të institucioneve.

Seanca, e cila do të drejtohet nga deputeti Avni Dehari si më i vjetri në moshë, pritet të nisë në orën 10:00. Kjo është tentativa e 14-të për ta zhbllokuar ngërçin politik që po e pengon konstituimin e plotë të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.