Seanca dështon sërish, Kuvendi pa kryetar – deputetët marrin mëditje, qytetarët përballen me varfëri

Para 11 muaj

Edhe tentativa e 11-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sot, duke vazhduar tragjedinë politike që ka bllokuar jetën institucionale të vendit që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Pavarësisht se Kuvendi nuk po arrin të konstituohet, një fakt nuk ndryshon: deputetët vazhdojnë të marrin mëditje të majme për çdo seancë të mbajtur – edhe kur nuk prodhohet asnjë rezultat. Çdo dy ditë që mblidhen për një tentativë të pasuksesshme, buxheti i Kosovës paguan, ndërsa qytetarët përballen me një realitet krejt tjetër.

Çmimet po rriten, varfëria po thellohet dhe gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga vendi në mungesë të shpresës dhe perspektivës. Në anën tjetër, skena politike vazhdon të sillet rreth pazareve për poste, ndërsa zërat për vjedhje të hapur të buxhetit po bëhen gjithnjë e më të zëshëm.

Kandidatura e Albulena Haxhiut nga LVV për kryetare të Kuvendit vazhdon të kundërshtohet nga opozita, duke e lënë të paqartë se kur – dhe nëse – do të arrihet një marrëveshje politike për ta zhbllokuar situatën. E derisa lidershipi politik mbetet i mbyllur në heshtje dhe përplasje, qytetarët ndihen të braktisur dhe të lodhur nga një krizë që nuk po sheh dritë në fund të tunelit.