Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në koordinim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, ka realizuar një aksion në tri lokacione në Mitrovicën e Veriut, ku në njërin prej tyre është sekuestruar një sasi armatimi.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar pjesë të ndryshme armësh si dhe makina që janë përdorur për ndërhyrje në armë. Aksioni është zhvilluar me urdhër të gjykatës dhe në përputhje me procedurat ligjore.
“Në njërin nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve dhe makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjatë këtij operacioni, një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Ai dyshohet për kryerjen e dy veprave penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
