Rusia paralajmëron SHBA-në: Mos u përfshini ushtarakisht në konfliktin Iran-Izrael

Para 10 muaj

Rusia ka paralajmëruar ashpër Shtetet e Bashkuara kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake në përplasjen mes Iranit dhe Izraelit. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se çdo ndërhyrje e tillë do të sillte “pasoja jashtëzakonisht të paparashikueshme”.

Ndërkohë, tensionet brenda Iranit janë shtuar pas një sulmi kibernetik ndaj televizionit shtetëror IRIB TV1, ku u transmetua një video që bënte thirrje për revoltë kundër regjimit të ajatollahëve, me pamje nga protestat e vitit 2022 pas vdekjes së Mahsa Aminit.

Përtej zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Franca ka shtuar masat e sigurisë për komunitetin hebre, për shkak të frikës nga sulme të mundshme të lidhura me konfliktin Iran-Izrael. Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, premtoi dyfishim të patrullave dhe rritje të mbrojtjes për sinagogat, shkollat dhe institucionet hebreje.

Në të njëjtën kohë, presidenti kinez Xi Jinping i kërkoi homologut rus Vladimir Putin gjatë një bisede telefonike që të ndihmojë për një armëpushim të menjëhershëm, duke e cilësuar atë si “prioritet absolut”. Xi theksoi se “forca nuk është zgjidhje” dhe i kërkoi veçanërisht Izraelit të ndalojë operacionet ushtarake për të parandaluar përshkallëzimin.

Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, me ndikim të ndjeshëm global dhe rrezik të shtuar për përfshirje më të gjerë ndërkombëtare.