Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi së fundmi një dekret që u lejon të huajve të shërbejnë në radhët e ushtrisë ruse, jo vetëm gjatë gjendjes së emergjencës apo ligjit ushtarak, por edhe gjatë periudhës së mobilizimit.
Në përpjekje për të zgjeruar fushatën e rekrutimeve, Kremlini do t’u lejojë gjithashtu specialistëve të kualifikuar që kanë arritur limitin e moshës të nënshkruajnë kontrata me shërbimin sekret rus për jashtë shtetit, SVR, Byronë Federale të Sigurisë, FSB dhe agjenci të tjera shtetërore.
Deri të hënën e kaluar, të huajt lejoheshin të shërbenin në ushtrinë ruse vetëm gjatë gjendjeve të emergjencave apo në bazë të ligjit ushtarak, të cilin Moska nuk e ka shpallur pavarësisht agresionit ndaj Ukrainës që nisi tre vjet e gjysmë më parë.
Ndërkohë, dekreti për mobilizimin e pjesshëm, që daton që prej shtatorit 2022 e që shkaktoi eksodin e rreth 261 mijë rusëve, mbetet në fuqi
Teksa Moska ka intensifikuar së fundmi ofensivën verore ndaj Ukrainës, lejimi i të huajve në trupat e saj pritet të forcojë procesin e rekrutimit në Rusi dhe të shmangë regjistrimin formal.
Në prill, Ministria britanike e Mbrojtjes raportoi se Moska kishte rekrutuar mbi 1.500 shtetas të huaj për të luftuar në Ukrainë në periudhën prill 2023-maj 2024.
Rekrutët e huaj janë kryesisht nga ish-republikat sovjetike, Azia jug-lindore dhe Afrika. Faktorët që i shtyjnë të aderojnë në forcat e armatosura ruse janë stimujt financiarë dhe marrja e nënshtetësisë ruse, përmes të cilës mund të lëvizin më lirshëm
