Rusia kundër pavarësisë së Kosovës: Lavrov e quan ndarje të imponuar nga Perëndimi

Para 11 muaj

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka kritikuar ashpër vendet perëndimore për mbështetjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një shembull të qartë të zbatimit të njëanshëm dhe të padrejtë të parimit të vetëvendosjes.

Gjatë fjalës së tij në “Forumin e së Ardhmes 2050” të mbajtur në Moskë, Lavrov tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës ndodhi pa referendum dhe pa një proces të drejtpërdrejtë të shprehjes së vullnetit të popullit. Ai e quajti këtë një “ndërhyrje të hapur të Perëndimit” në çështjet e brendshme të Serbisë.

“Ata e ndanë Kosovën nga Serbia në një situatë paqësore, pa rrezik për konflikt të armatosur, dhe e justifikuan këtë me të drejtën për vetëvendosje – por pa pyetur asnjë qytetar, pa votë, pa referendum,” u shpreh Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse e lidhi këtë çështje edhe me situatën në Ukrainë, duke përdorur rastin e Kosovës si justifikim për ndërhyrjen e Rusisë në rajonet e Donbasit dhe Krimesë. Ai akuzoi disa vende evropiane, në veçanti Britaninë e Madhe, për mbështetje ndaj asaj që ai e quajti “sulme terroriste” dhe përpjekje për të zhdukur gjuhën ruse në ato territore.

Deklaratat e Lavrovit vijnë në një kohë të rritjes së tensioneve ndërkombëtare dhe përpjekjeve të Rusisë për të sfiduar narrativat perëndimore në lidhje me konfliktet në Ballkan dhe Ukrainë.