Rritje e madhe e votave për Hysen Durmishin, mbi 22 mijë qytetarë i besojnë mandatin

Para 19 ditë

Kandidati për deputet dhe ministri i Transportit në detyrë, Hysen Durmishi, ka shënuar një rritje të ndjeshme të mbështetjes elektorale në këto zgjedhje, duke siguruar mbi 22 mijë vota, sipas rezultateve paraprake ku janë numëruar mbi 90 për qind e votave.

Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, Durmishi ka fituar më shumë se 10 mijë vota shtesë, çka e pozicionon atë drejt një mandati të sigurt në Kuvendin e Kosovës. Ky rezultat konsiderohet dëshmi e konsolidimit të ndikimit të tij politik dhe rritjes së besimit qytetar.

Mbështetja në rritje lidhet edhe me vlerësimin e punës së tij në sektorin e infrastrukturës rrugore, veçanërisht me realizimin e projekteve të rëndësishme gjatë vitit 2025, përfshirë ndërtimin e urave mbi lumin Ibër.