Rrëmbim i rëndë në Fushë Kosovë, e mitura lirohet pas një ore – Policia nis hetimet

Para 11 muaj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fushë Kosovën mbrëmë pas mesnate. Rreth orës 00:45, Policia e Kosovës ka marrë një informacion për një rast të dyshuar rrëmbimi në rrugën “Pajazit Islami”, ku një vajzë e mitur është rrëmbyer me forcë nga persona të panjohur.

Sipas informacioneve të para, e mitura është futur në një veturë dhe autorët janë larguar nga vendngjarja. Pas rreth një ore, ajo është liruar, ndërsa në përpjekje për ta penguar rrëmbimin, nëna e saj është lënduar lehtë dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Policia Rajonale e Prishtinës ka konfirmuar rastin për Klankosova.tv, duke bërë të ditur se të dy viktimat janë trajtuar në QKUK dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe hetuesit kanë arritur të identifikojnë të paktën një veturë të dyshuar që mund të jetë përdorur në këtë akt kriminal.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Rrëmbim” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar të dyshuarit.