Rrah gruan, pastaj edhe ata që i dolën në ndihmë – dy të arrestuar

Para 7 muaj

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar të premten në Fushë Kosovë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Sipas njoftimit të Policisë, viktimës i dolën në ndihmë dy persona – një grua dhe një burrë – por edhe ata u sulmuan nga dy të dyshuar, përfshirë bashkëshortin agresor.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Më pas, së bashku me një të dyshuar tjetër, kanë ushtruar dhunë fizike edhe ndaj dy personave – një gruaje dhe shoqëruesit të saj – të cilët kishin ndërhyrë për ta ndihmuar viktimën e dhunës,” thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Të tre viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të pësuara. Ndërkaq, të dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të rastit.