Koncerni gjerman i armatimeve Rheinmetall planifikon të ndërtojë një fabrikë të re në Ukrainë për prodhimin e predhave artilerie që do t’i shërbejnë forcave të armatosura ukrainase. Lajmi u konfirmua nga Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, përmes një postimi në platformën X.
Sipas tij, një parcelë toke në një rajon të sigurt të vendit është tashmë e caktuar për ndërtimin e objektit.
Ky zhvillim vjen ndërsa Ukraina i bën thirrje partnerëve perëndimorë të ndihmojnë në zgjerimin e industrisë vendase të armatimeve, për të përballuar sulmet e vazhdueshme ruse. Lufta në Ukrainë po hyn në vitin e katërt që nga pushtimi rus në vitin 2022.
Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelensky ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me të dërguarin amerikan Keith Kellogg, ku kanë diskutuar për bashkëprodhimin e armëve dhe sanksione të reja kundër Rusisë nga ana e SHBA-së.
“Diskutuam rrugë të ndryshme për bashkëpunim – se si të arrijmë paqe të vërtetë dhe të sigurojmë sigurinë e Ukrainës”, shkroi Zelensky në Telegram pas takimit.
