“Rektori i UP-së paralajmëron mbylljen e Fakultetit të Bujqësisë: ‘KEDS ka uzurpuar pronën, na ka shtyrë për muri!’

Para 4 muaj

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka paralajmëruar se Fakulteti i Bujqësisë rrezikon mbylljen, pasi objektet e reja të ndërtuara nga viti 2013 nuk janë funksionalizuar dhe një pjesë e pronës së UP-së është uzurpuar nga kompania KEDS. Ai tha se pa objekt funksional, fakulteti nuk mund t’i akreditojë programet dhe rrezikon të mbyllet “që sot”.

Sipas rektorit, KEDS ka vendosur tenda, ka depove ilegale në pronën e UP-së dhe po e trajton hapësirën si pronë të vet, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të fakultetit për shkak të largpërçuesve të tensionit të lartë. UP-ja ka kërkuar zgjidhje urgjente që prej korrikut, por KEDS ka injoruar kërkesat, çka e ka shtyrë universitetin të bllokojë hyrjen në depo.

Hajrullahu paralajmëroi se nëse situata nuk zgjidhet, javën e ardhshme profesorë dhe studentë do të marshojnë deri në selinë qendrore të KEDS-it për t’ua bllokuar hyrjen. Ai shtoi se problemet me uzurpimin e pronave të UP-së zgjerohen edhe nga biznese private dhe u bëri thirrje të gjithë uzurpatorëve të largohen.