Një debat i ashpër publik është ndezur mes profesor Blerim Latifit dhe aktorit Dardan Gashi, pas incidentit të rëndë që ky i fundit raportoi përmes një reagimi emocional, ku gruaja e tij me shami dhe djali 9-vjeçar u sulmuan verbalisht në sheshin e Prishtinës me fjalë fyese dhe islamofobe.
Dardan Gashi, i biri i poetit të ndjerë Adem Gashi, publikoi dje një rrëfim të detajuar për sulmin, ku përmendi edhe “Lëvizjen e Deçanit” si burim të nxitjeve islamofobe, duke lënë të kuptohet se disa prej figurave publike që ai kritikonte për inflamacione të urrejtjes mund të kishin ndikim në klimën që çoi në incident.
Ky referim solli reagimin e menjëhershëm të profesorit të filozofisë, Blerim Latifi, i cili përmes një postimi të gjatë mohoi çdo lidhje me rastin, duke theksuar se emri i tij u përfshi padrejtësisht.
Latifi, duke kujtuar marrëdhënien e tij të afërt me poetin Adem Gashi, u shpreh se ishte i prekur nga fakti që i biri i poetit e kishte përfshirë në një situatë me të cilën, sipas tij, “nuk ka asnjë lidhje”. Ai përdori tone të ashpra ndaj aktorit, duke e quajtur “pseudoaktor” dhe “i padijshëm”, duke pretenduar se Gashi “është infektuar me ideologji vahabiste” — deklarata këto që pritet të nxisin reagime të tjera.
Latifi tha më tej se Gashi kishte krijuar përshtypjen se disa kërcënime i adresoheshin edhe atij, gjë që profesori e cilësoi të pavërtetë. Ai theksoi se nuk do të reagonte ndaj “gjuhës kërcënuese”, duke shtuar se deklarimet e Gashit në emër të figurave historike ishin të paqëndrueshme.
Sipas Latifit, “rëndësi ka fakti i dhimbshëm se sot bijtë po shkelin mbi vlerat e baballarëve të tyre”, duke aluduar se Dardan Gashi po devijon nga trashëgimia kulturore e babait të tij, poetit Adem Gashi.
Përplasja verbale mes dy figurave publike po komentohet gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa incidenti fillestar në sheshin e Prishtinës vazhdon të ngrejë shqetësime mbi sigurinë dhe klimën e tensionuar të intolerancës fetare në hapësirat publike.
