Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin me burgim të ish-kryeministrit Agim Çeku dhe nëntë anëtarëve të Komisionit për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat e dala nga lufta. Këto organizata e kanë cilësuar aktgjykimin si politik dhe të padrejtë.
Mustaf Gashi, veteran i luftës në Koshare, tha për Radio Kosovën se çdo gjykim duhet të bazohet në fakte. “Nëse ka prova, le të veprohet. Nëse jo, më vjen keq. Vetëm në fshatin tonë, në Qyshk, janë listuar shumë emra”, theksoi ai.
Edhe Hysni Neziri, invalid lufte, u shpreh se aktgjykimi është “gjykim politik, pa drejtësi”, duke e quajtur vendimin si “turp”.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Gazmend Syla, theksoi se organizata ka qenë gjithmonë kundër përfshirjes së personave të pa merituar në lista, por se vendimi është i paqartë, pasi askush nuk është larguar ende nga lista.
“Rishikimi eventual i listave duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshëm, mbi baza ligjore dhe pa ndikime politike”, thuhet në qëndrimin e Organizatës së Veteranëve.
Në këtë proces, Gjykata Themelore dënoi me nga një vit burgim Agim Çekun, Rrustem Berishën, Shkumbin Demalijajn, Sadik Halitjahan, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Ahmet Dakun, Faik Fazliun, Fadil Shurdhajn dhe Xhavit Jasharin. Ndërkohë, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj u liruan nga akuzat.
