Vuthaj, Mali i Zi – 15 gusht 2025
Heqja e përmendores së Isuf Celajt, një figurë e njohur për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik shqiptar.
Gzim Cecaj, nipi i Isuf Celajt, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar këtë veprim si “akt barbar” dhe “goditje të rëndë ndaj kujtesës historike dhe dinjitetit të shqiptarëve”.
“Ky veprim përfaqëson një goditje të rëndë ndaj kujtesës historike, dinjitetit të komunitetit shqiptar dhe vlerave të bashkëjetesës demokratike.
Isuf Celaj nuk ishte as kriminel, as figurë që nxit ndasi etnike. Përkundrazi, ai ishte një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, një zë i arsyes dhe drejtësisë”, – shkruan Cecaj.
Ai thekson se përmendorja ishte simbol i kontributit të Celajt dhe heqja e saj paraqet një qasje antidemokratike nga autoritetet malazeze, duke rrezikuar bashkëjetesën ndëretnike dhe respektin për historinë e shqiptarëve në këtë rajon.
Thirrje për reagim ndërkombëtar
Cecaj u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave për të drejtat e njeriut dhe opinionit publik të reagojnë ndaj këtij akti:
“U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave për të drejtat e njeriut dhe opinionit publik që të dënojnë këtë akt dhe të mbështesin përpjekjet tona për drejtësi dhe respekt ndaj historisë sonë. Isuf Celaj jeton në kujtesën tonë. Përmendorja mund të hiqet, por ideali i tij nuk shuhet.”
Deri më tani, autoritetet malazeze nuk kanë dhënë një deklaratë publike mbi arsyet ose procesin e largimit të përmendores.
