Rast i rëndë vjedhjeje në Prishtinë – Policia nis hetimet

Para 11 muaj

Një rast i rëndë i vjedhjes është raportuar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, ku një sasi e konsiderueshme e arit dhe disa orë dore janë grabitur nga një banesë private.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në rrugën “Kërçova” në Prishtinë. Ankuesi, një qytetar kosovar, ka deklaruar se hajdutët kanë depërtuar në banesën e tij dhe kanë marrë sende me vlerë të konsiderueshme.

Menjëherë pas raportimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë.

Rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë” dhe ndodhet aktualisht në fazën e hetimeve.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.