Rashiq shihet me deputetë të PDK-së para seancës – paralajmëron vetëkandidim për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit

Para 8 muaj

Prishtinë, 28 gusht 2025 – Deputeti i komunitetit serb, Nënak Rashiq, është parë sot duke zhvilluar bisedime me disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) para fillimit të seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.

Burime nga salla plenare bëjnë të ditur se Rashiq ka paralajmëruar vetëkandidimin e tij në garën për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, pozitë kjo që parashihet me Kushtetutë dhe rregulloren e Kuvendit.

Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse deputetët e PDK-së do ta mbështesin kandidaturën e tij, por afrimi dhe diskutimet para seancës kanë ngritur pikëpyetje për një mundësi të tillë.

Në seancat e kaluara, zgjedhja e nënkryetarit nga komunitetet ka qenë shpesh objekt i kalkulimeve politike dhe pazareve ndërpartiake, ndaj votimi i sotëm pritet me interes për të parë nëse mbështetja eventuale e PDK-së do të përkthehet në vota konkrete për Rashiqin.

Situata mbetet dinamike dhe pritet të qartësohet gjatë seancës së sotme.