Raporti “Vlerësimi i ndryshimit të sjelljes në raportimin gazetaresk për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” tregon përparim domethënës në mënyrën si raportojnë mediat për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Prishtinë, qershor 2025 – Një raport i ri i publikuar nga organizata Voice of Roma, Ashkali and Egyptians hedh dritë mbi ndryshimet pozitive në mënyrën e raportimit mediatik për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian gjatë viteve 2022–2024, duke nxjerrë në pah edhe ndikimin e drejtpërdrejtë që kanë pasur trajnimet për gazetarët në këtë proces.
Raporti titullohet “Vlerësimi i ndryshimit të sjelljes në raportimin gazetaresk për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” dhe ofron një pasqyrë të thelluar të evolucionit të diskursit mediatik në Kosovë, nga një gjuhë stigmatizuese dhe stereotipe, drejt një narrative më etike, afirmative dhe gjithëpërfshirëse.
Përmirësim i dukshëm në tri vite.
Sipas raportit, gjatë tre viteve të fundit janë analizuar gjithsej 92 artikuj medial, të publikuar në disa nga mediat më të mëdha në vend si Koha.net, Telegrafi, RTK, Klan Kosova, Gazeta Express, Reporteri, Nacionale etj. Viti 2024 ka shënuar progresin më të madh: nga 37 artikuj të analizuar, 10 kanë qenë pozitivë dhe shpresëdhënës, ndërsa përmbajtja diskriminuese dhe përgjithësimet stereotipike janë shfaqur rrallë.
Në vitin 2022 vetëm 3 artikuj përmbanin histori pozitive, ndërsa shumica ishin të përqendruar në varfëri dhe probleme sociale, shpesh duke përdorur termin “RAE” në mënyrë të përgjithësuar e nënkuptuese. Por në vitin 2024 dominon një gjuhë më respektuese dhe individualizuese për secilin komunitet, me theks të veçantë në arritjet, fuqizimin dhe bashkëjetesën.
Kiki Rrahmani, zyrtare për media dhe komunikim në organizatën Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, tha se ky ndryshim nuk është i rastësishëm:
“Ndryshimi i diskursit mediatik është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të organizates dhe edukimit profesional të gazetarëve. Trajnimet e mbajtura në vitin 2024, si ‘Drejtësia Sociale për Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian’, kanë ndikuar ndjeshëm në vetëdijen dhe qasjen e redaksive ndaj këtyre komuniteteve. Gazetarët po shmangin më shumë gjuhën stigmatizuese dhe po raportojnë histori që fuqizojnë e frymëzojnë.”
Histori suksesi dhe rrëfime frymëzuese.
Raporti përmban shembuj të shumtë të rrëfimeve pozitive që janë publikuar në media, nga studentë që thyejnë barriera arsimore, gra që arrijnë pavarësi ekonomike, e deri te krijimi i qendrave kulturore dhe bashkëjetesa në vendbanime si fshati Koshare apo Teatri Rom në Prizren.
Ky ndryshim vjen edhe falë intervistave me 15 gazetarë, të cilët kanë treguar për sfidat dhe përvojat gjatë raportimit. Ata kanë konfirmuar se trajnimet dhe përballja me histori reale nga komunitetet kanë ndikuar pozitivisht në qasjen e tyre editoriale.
Sfidat vazhdojnë
Megjithatë, raporti thekson se ende ekzistojnë sfida. Mungesa e besimit te media nga ana e komuniteteve, si dhe qasja e kufizuar në burime të sakta brenda tyre, vazhdon të mbetet një pengesë për raportim të thelluar dhe cilësor.
Rekomandimet: Etikë, bashkëpunim dhe përfshirje.
Raporti u bën thirrje mediave të krijojnë një udhëzues etik për raportim mbi komunitetet etnike dhe të organizojnë trajnime të rregullta për gazetarë dhe redaktorë. Ndërkohë, organizatat dhe komunitetet ftohen të ndihmojnë në krijimin e rrëfimeve autentike, përmes blogjeve, podkasteve apo përfshirjes më të madhe të anëtarëve të komuniteteve në gazetari.
Për institucionet, rekomandohet mbështetje e vazhdueshme për programet edukative dhe kulturore që fuqizojnë identitetin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve në jetën publike.
Raporti përmbyllet me një vlerësim të qartë: Kosova ka bërë hapa përpara drejt një medie më etike, më të drejtë dhe më përfaqësuese. Për këtë, sipas Kiki Rrahmanit, “nuk mjafton vetëm vullneti i mire, por kërkohet bashkëpunim konkret mes redaksive, organizatave dhe vetë komuniteteve për të ndërtuar një narrativë që nxit barazi, përfshirje dhe respekt të ndërsjellë.”
