Raporti preliminar, konstaton në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.
Në raportin fillestar ende nuk është specifikuar nëse ndrydhja ka shkaktuar sulmin në zemër, apo asfiksion (pengim të rrugëve të frymëmarrjes), por një zgjerim i raportit pritet të bëhet ditëve në vazhdim.Ditëve në vazhdim, IML pret, siç merr vesh Insajderi, që të përfundoi edhe raportin në pjesën tjetër, sa i përket toksikologjisë, duke dalë me rezultate se çfarë lloje substancash mund të ketë pasur në trup viktima para se të ndërronte jetë.
Pesë policë u arrestuan për veprën penale “Vrasje nga Pakujdesia” për rastin e arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, i cili dyshohej se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Insajderin ka konfirmuar arrestimin e policëve, por refuzoi të japë më shumë detaje meqë tha se mund të dëmtohet integriteti i hetimeve.
Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë.
