Raporti i BE-së: Serbia po thellohet në krizë politike – anëtarësimi kushtëzohet me sundimin e ligjit dhe normalizimin me Kosovën

Para 6 muaj

Shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Andreas von Beckerath, i dorëzoi autoriteteve serbe raportin më të ri të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë në procesin e integrimeve evropiane. Raporti vlerëson se polarizimi i shoqërisë, korrupsioni dhe mungesa e reformave kanë thelluar krizën politike në vend.

Në dokument theksohet se përparimi i Serbisë drejt BE-së varet nga sundimi i ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, si dhe kërkohet që Beogradi të harmonizohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Unionit.

“Serbia dhe Kosova duhet të zbatojnë plotësisht detyrimet nga marrëveshjet e arritura dhe të sigurojnë përgjegjësi për ngjarjet në veriun e Kosovës nga vjeshta e vitit 2023”, deklaroi Beckerath.

Presidenti Aleksandar Vuçiq reagoi duke thënë se Serbia “do të ishte përpara vendeve të tjera kandidate nëse do ta njihte Kosovën dhe do të vendoste sanksione ndaj Rusisë”, por shtoi se nuk do ta bëjë këtë.

Ndërkohë, opozita e cilësoi raportin si më kritik deri më sot, duke e quajtur Serbinë “shtet të kapur”. Deputeti Radomir Lazoviq tha se për herë të parë BE-ja e përshkruan Serbinë si “autokraci në rritje”.

Ekspertët e integrimeve evropiane paralajmërojnë se raporti sinjalizon një kthesë të BE-së ndaj Beogradit dhe tregon regres të dukshëm në demokraci, lirinë e mediave dhe sundimin e ligjit.