Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar mospërputhje prej 1,048,801 eurosh në raportimin e buxhetit të të hyrave të Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës për vitin 2025.
Sipas raportit të auditimit, në Pasqyrat Financiare Vjetore të ShSKUK-së janë paraqitur gabimisht vlerat e realizuara të të hyrave, në vend të buxhetit fillestar dhe final të planifikuar. Kjo ka ndodhur edhe pasi auditorët kishin kërkuar korrigjimin e raportit.
ZKA vlerëson se problemi ka ardhur si pasojë e kontrolleve të pamjaftueshme gjatë përgatitjes dhe rishikimit të pasqyrave financiare, si dhe moszbatimit të plotë të rregullave për raportim financiar.
Si pasojë, informacionet për të hyrat jo tatimore janë nënvlerësuar, duke cenuar besueshmërinë e pasqyrave financiare të institucionit.
Në rekomandimet e saj, ZKA kërkon që Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së të sigurojnë rishikim të detajuar të pasqyrave financiare para dorëzimit, në mënyrë që gabime të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

