Juristi amerikan Paul Williams, dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, ka deklaruar se gjatë bisedimeve të Rambujesë ka punuar intensivisht me anëtarët e delegacionit të Kosovës dhe me diasporën shqiptare.
Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Williams theksoi se ishte Fehmi Agani ai që i kërkoi të hartonte një gjuhë juridike të qartë dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë (ICTY) të kishte bazën për të vepruar dhe zbatuar mandatin e vet.
“Tema e katërt që më kërkuan të prezantoja ishte juridiksioni dhe aktivitetet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë. Të gjithë anëtarët e delegacionit ishin të pranishëm,” tha Williams, duke shtuar se kjo përfshinte edhe mësime nga përvoja e tij si këshilltar ligjor në Marrëveshjen e Daytonit për Bosnjën.
Ai sqaroi se kërkesa për përfshirjen e qartë të Tribunalit në tekstet e marrëveshjes vinte menjëherë pas masakrës së Reçakut, ngjarje që kishte tronditur opinionin ndërkombëtar.
“Juridiksioni i Tribunalit ishte thelbësor për delegacionin e Kosovës për shkak të kontekstit konkret – masakrës në Reçak që ndodhi para bisedimeve,” theksoi ai.
Williams është dëshmitari i dytë që paraqitet në këtë proces dhe më parë ishte dekoruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e tij në Rambuje.
