Rama takim me deputetët e PS në Tiranë: Dy javë kohë për të identifikuar problemet e qytetarëve

Para 9 muaj

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në orën 18:30 një takim me dyer të mbyllura me deputetët e Partisë Socialiste në qarkun Tiranë dhe drejtues të bashkisë së kryeqytetit. Takimi, i mbajtur larg syrit të mediave, kishte për fokus angazhimin më të madh të deputetëve në terren dhe menaxhimin e hapësirave publike.

Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se Rama ka kërkuar që deputetët të jenë më aktivë pranë qytetarëve, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe t’i kthejnë ato në raporte konkrete për një takim të dytë pas dy javësh.

Në takim ishin të pranishëm deputetët aktualë dhe ata që morën pjesë në zgjedhjet e 11 majit, pavarësisht rezultatit, si dhe drejtues të bashkisë dhe administratorët e njësive administrative të Tiranës. Rama nuk ka shprehur pakënaqësi për performancën e Tiranës, por ka bërë një krahasim me qytetin e Vlorës. “Në Vlorë pashë gjëra që nuk shkonin,” mësohet të ketë deklaruar ai.

Në takim nuk është diskutuar për zgjedhjet në bashkinë Tiranë.