Rafuna mohon prapavijë politike pas protestës së bizneseve për energjinë

Para 11 muaj

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka hedhur poshtë zërat për përfshirje politike në protestën e bizneseve kundër liberalizimit të tregut të energjisë, duke theksuar se protesta është organizuar vetëm nga komuniteti i biznesit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka reaguar pas deklaratave që sugjeronin një prapavijë politike pas protestës së organizuar nga bizneset, të cilat kundërshtojnë daljen e papërgatitur në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas Rafunës, protesta është tërësisht rezultat i iniciativës së vetë bizneseve dhe i përfaqësimit institucional të OEK-ut, pa asnjë lloj koordinimi apo mbështetje nga ndonjë subjekt politik.

“Asnjë parti politike nuk e kemi kontaktu për me pas mbështetje. Asnjë parti nuk është njoftuar për protestën e sotme nga ne. Nuk kemi të bëjmë asgjë me politikën, jemi shtëpi e biznesit, nuk është e drejtë të thuhet se po politizohet”, deklaroi Rafuna për RTV21.

Ai ka theksuar se shqetësimet e ngritura nga sektori privat janë të bazuara në fakte konkrete dhe në një analizë të brendshme të kryer me mbi 1,300 kompani anëtare të Odës.

Sipas të dhënave nga kjo analizë:

  • 46.8% e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se përballen me rrezik të reduktimit të prodhimit dhe shkurtimit të stafit si pasojë e kostove të larta të energjisë në tregun e lirë.

  • Bizneset shprehen se mungesa e një plani të qartë të tranzicionit drejt këtij sistemi të ri ka krijuar pasiguri të madhe operacionale dhe financiare.

“Nuk është bërë një plan i mirë i tranzicionit”, shtoi Rafuna, duke apeluar për përfshirje të drejtpërdrejtë të sektorit privat në hartimin e politikave energjetike.

Protesta e organizuar nga OEK-u përfshiu edhe bllokimin e hyrje-daljeve në Prishtinë, si formë e presionit për të adresuar urgjentisht shqetësimet e komunitetit të biznesit.