Koalicioni qeverisës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka humbur shumicën në parlamentin izraelit (Knesset), pasi partia ultra-ortodokse Shas u largua nga koalicioni, duke e lënë qeverinë me më pak se 61 deputetë.
Largimi i Shas e kthen qeverinë aktuale në një qeveri pakice, çka ka shkaktuar një valë reagimesh politike. Lideri i opozitës, Yair Lapid, ka lëshuar një deklaratë të ashpër ndaj qeverisë së Netanyahut, duke e quajtur atë të “paligjshme dhe pa autoritet për të marrë vendime madhore”.
“Shteti i Izraelit, që nga sot, drejtohet nga një qeveri pakice. Një qeveri e tillë nuk ka të drejtë të dërgojë ushtarë në luftë, nuk mund të vendosë se kush jeton dhe kush vdes,” tha Lapid.
Ai shtoi se kjo qeveri nuk ka as legjitimitetin për të vendosur për çështje strategjike si fati i Gazës, apo marrëveshjet diplomatike me vende si Siria apo Arabia Saudite.
“Kjo është një qeveri pa të drejtë, pa autoritet; është një qeveri e paligjshme,” deklaroi Lapid, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo krizë politike vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon dhe përplasjeve të brendshme në Izrael, përfshirë mënyrën e menaxhimit të luftës në Gaza dhe çështjeve të sigurisë.
Kujtojmë se Knesseti izraelit përbëhet nga 120 deputetë, të zgjedhur çdo katër vjet përmes një sistemi proporcional. Ky numër nuk ka ndryshuar që nga themelimi i shtetit në vitin 1948.
