Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se shtetasja me inicialet A.M., e arrestuar së fundmi në Kroaci nën dyshime për spiunazh në shërbim të Serbisë, ka pasur qasje në informacione të rëndësishme apo konfidenciale nga Zyra e Kryeministrit.
Përmes një deklarate të publikuar nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, është bërë e ditur se struktura e Zyrës së Kryeministrit nuk lejon hyrjen e personave të jashtëm në dokumente të ndjeshme dhe se qasja në të dhëna konfidenciale është “strikt e kufizuar”.
“Hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit,” ka shkruar Kryeziu.
Ai ka shtuar se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga staf civil dhe emërime politike, duke përjashtuar mundësinë e përfshirjes së A.M. në ndonjë kapacitet që do t’i mundësonte qasje në të dhëna të ndjeshme.
Rritje e aktiviteteve të spiunazhit nga Serbia
Qeveria ka rikujtuar se në vitet e fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit të Serbisë në veri të vendit përmes rrjeteve kriminale të udhëhequra nga Milan Radojiçiq, janë rritur përpjekjet e inteligjencës serbe për të ndikuar dhe destabilizuar Kosovën.
“Në korrik është arrestuar një togër i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, nën dyshime të bazuara për spiunazh në interes të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA) të Serbisë. Po ashtu, në shkurt, u arrestua një tjetër person për të njëjtat dyshime, i cili punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë,” theksoi Kryeziu.
Sipas tij, institucionet e sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë janë duke vepruar me vigjilencë të lartë dhe kanë pasur suksese në zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve destabilizuese.
Bashkëpunim me Kroacinë për hetimet
Zëdhënësi ka konfirmuar gjithashtu gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të plotë me autoritetet kroate, pasi aktivitetet e dyshuar të A.M. dhe një shtetasi kroat, gjithashtu të arrestuar, janë zhvilluar pjesërisht në territorin e Kosovës.
“Institucionet tona janë në gatishmëri të plotë për bashkëpunim me Kroacinë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrjetit të veprimit dhe aktiviteteve të dyshuara,” thuhet në reagim.
