Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza

Para 29 ditë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’i kërkuar Kuvendit dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Kryeministri, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të ekzekutivit tha se dërgimi i personelit ushtarak të Kosovës në Gaza bazohet pas pranimit të ftesës nga ShBA-ja, si dhe shprehjes së vullnetit politik në kuadër të Bordit të Paqes.

“Dërgimi i personelit tonë ushtarak atje bazohet në koordinime të realizuara pas pranimit të ftesës nga Komanda Qendrore e ShBA-së në tetor të vitit të kaluar, në përputhje me rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shprehjes së vullnetit politik në kuadër të Bordit të Paqes. Të gjitha operacionet e ushtrisë sonë do të zhvillohen në përputhje të plotë me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën humanitare dhe rregullat e tjera të përcaktuara me këtë mision”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se përmes këtij angazhimi Kosova dëshmon se është partner i besueshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së civilëve.