Qeveria e Kenias dënon incidentin: “Turpëruese” – Presidenti Ruto goditet me këpucë gjatë një tubimi

Para 11 muaj

Qeveria e Kenias e ka quajtur “turpëruese” një ngjarje të ndodhur të dielën, kur një person hodhi një këpucë në drejtim të presidentit William Ruto gjatë një tubimi publik. Pamjet që qarkullojnë gjerësisht në rrjet tregojnë momentin kur këpuca godet krahun e majtë të presidentit, teksa ai po fliste përballë qytetarëve.

Zëdhënësi i qeverisë, Isaac Mwaura, reagoi ashpër ndaj incidentit dhe kërkoi ndëshkimin e personave përgjegjës. “Çfarë do të ndodhte nëse të gjithë vendosnim të gjuajmë këpucë njëri-tjetrit? Çfarë vlerash po u mësojmë fëmijëve tanë?”, shkroi ai në platformën X, duke bërë thirrje për respekt ndaj institucionit të presidencës.

Sipas raportimeve të mediave vendase, tre persona janë arrestuar në lidhje me incidentin, megjithatë policia ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar.

Ngjarja ka hapur debat në vend për sjelljet ndaj figurave shtetërore dhe respektin ndaj institucioneve në hapësirat publike.