Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me funksionimin, transparencën dhe të drejtat procedurale në këtë institucion gjyqësor.
Sipas një komunikate për media, Qelaj ka vënë theksin te garantimi i një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës. Ai ngriti pyetje mbi barazinë e palëve në proces, mënyrën e sigurimit të provave – veçanërisht ato që vijnë nga Serbia – dhe kredibilitetin e tyre në procedura gjyqësore.
“Avokati i Popullit potencoi shqetësimin e tij nëse po garantohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm sipas standardeve ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes efektive të të akuzuarve në çdo fazë të procesit”, thuhet në komunikatë.
Qelaj gjithashtu ka ngritur çështjen e strukturës së brendshme të gjykatës, e cila sipas tij nuk pasqyron ndarjen e nevojshme të pushteteve dhe shkallëve të gjyqësorit. Ai e vlerësoi si problematike përfshirjen e Dhomës Kushtetuese brenda kësaj strukture dhe praninë e Avokatit të Popullit si pjesë e saj, çka, sipas tij, bie ndesh me parimet ndërkombëtare të pavarësisë institucionale.
Ndër shqetësimet e tjera të ngritura ishte edhe çështja e përgjimeve të bisedave dhe vizitave në paraburgim, që sipas Qelajt cenojnë privatësinë dhe të drejtën për mbrojtje efektive, sidomos kur ato përfshijnë komunikimin me ekipin mbrojtës.
Avokati i Popullit theksoi gjithashtu se kohëzgjatja e paraburgimit dhe mungesa e alternativave për masa më të lehta, reflektojnë mungesë të besimit nga ana e gjykatës ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Ai shtoi se edhe çështja e kompensimit të viktimave nuk është në përputhje me standardet që zbatohen brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës.
Pavarësisht kufizimeve në mandat ndaj Dhomave të Specializuara, Qelaj tha se ai ka përgjegjësi për të reaguar në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe funksionimit të drejtë të sistemit të drejtësisë në tërësi.
