Në një botë gjithnjë e më të përqendruar te individualizmi, psikologët paralajmërojnë për rritjen e dukshme të narcisizmit dhe sjelljeve egocentrike në shoqëri. Sipas ekspertëve, ky fenomen është nxitur nga ndikimi i rrjeteve sociale, konsumerizmi dhe ndryshimet në mënyrën e edukimit të fëmijëve.
Sot, njerëzit janë më të prirur të izolohen dhe të përqendrohen në vetvete, duke i lënë mënjanë ndjeshmërinë dhe bashkëpunimin me të tjerët. Si rrjedhojë, është e zakonshme të hasim persona me sjellje egocentrike, si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale.
Por si ta kuptojmë nëse kemi përballë një person të tillë?
Sipas platformës ndërkombëtare Hack Spirit, këto janë 5 shenjat që nuk mashtrojnë:
- Bisedat rrotullohen gjithmonë rreth tyre
Personat egocentrikë kanë nevojë të vazhdueshme për vëmendje dhe e kthejnë çdo bisedë drejt vetes. Edhe kur flisni për një përvojë tuajën, ata do ta lidhin me diçka që lidhet me ta. - Kanë mungesë empatie
Nuk janë të aftë të ndjejnë apo kuptojnë emocionet e të tjerëve. Ndoshta ju dëgjojnë, por nuk ju kuptojnë realisht. Problemet e të tjerëve shpesh i duken të parëndësishme. - Ndihen të veçantë dhe kërkojnë trajtim të veçantë
Ata mendojnë se meritojnë privilegje, vëmendje të veçantë dhe trajtim ndryshe nga të tjerët, edhe pa ndonjë arsye të justifikueshme. - Kritikojnë lehtësisht, por nuk e pranojnë kritikën
Janë të gatshëm të gjykojnë dhe të kritikojnë të tjerët, por kur përballen vetë me kritika, reagojnë me mbrojtje, nervozizëm apo injorim. - Manipulojnë për të marrë atë që duan
Egocentrikët mund të përdorin fajësimin, ndjenjat, apo gënjeshtra të vogla për të arritur qëllimet e tyre personale, pa marrë parasysh ndjenjat apo nevojat e të tjerëve.
Psikologët rekomandojnë që të jemi të vetëdijshëm për këto sjellje, si për t’i identifikuar tek të tjerët, ashtu edhe për të reflektuar mbi vetveten. Një shoqëri më e ndërgjegjshme dhe empatike mund të ndërtohet vetëm përmes vetëdijes dhe kujdesit ndaj mënyrës se si ndërveprojmë me të tjerët.
