Pse Nisma e Fatmir Limajt nuk mori ftesë nga presidentja?

Para 11 muaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se subjekti i tij nuk ka pranuar ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takimin konsultativ me partitë parlamentare, i paraparë të mbahet të enjten.

“Nuk e di pse nuk kemi marrë ftesë, mirëpo është mirë që po ndodhin këto takime për të zgjidhur krizën politike në Kosovë”, tha Limaj para hyrjes në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahet përpjekja e 15-të për konstituimin e tij.

Limaj theksoi rëndësinë e dialogut mes partive politike, pavarësisht mospajtimeve, duke shtuar se udhëheqësit institucionalë dhe politikë kanë obligim të ulen dhe të bisedojnë për të gjetur zgjidhje që i shërbejnë shumicës.

“Zakonisht bisedohet me ata që ki dallime apo mospajtime, për të tentuar me gjetë marrëveshje apo kompromise”, u shpreh ai.

Sa i përket propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një qeveri tranzitore, Limaj tha se është një ide që duhet trajtuar dhe konkretizuar nga vetë propozuesi.

“Propozuesi duhet të fillojë iniciativën dhe të bëhen përpjekje për të realizuar atë ide”, përfundoi Limaj.

Ai po ashtu konfirmoi se qëndrimi i tre deputetëve të Nismës nuk do të ndryshojë as në seancën e sotme të Kuvendit.