Nga Avokati Muhamet Mujaj
Pse gjithë kjo propagandë sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme se ka ndaluar të drejtën e besimit dhe manifestimit të besimit të vajzave në shkolla!
Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe është duke u keqinterpretuar nga dashakeqet dhe ata që duan të nxisin debate e përçarje. Ata që pengojnë vajzat në shkolla do të gjendet para organeve të drejtësisë për veprën penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 190 të Kodit Nr.06/L-074 kurse vajzat do të vazhdojnë mësimin pa pengesë.
Manifestimi i bindjes fetare të vajzave dhe grave në shkolla dhe institucione publike nuk mund ta ndal askush. Kjo është pa nga vitet që shkuan dhe mënyra se si janë trajtuar rastet në Gjykatat dhe Prokuroritë tona. Askush nuk mund ta ndal një një vajzë apo grua që të mos jetë pjesë e institucioneve publike. Shamia nuk është uniformë fetare, ashtu si kryqi i vendosur në qaf nuk mund të konsiderohet si uniformë fetare.
Në UA 06/2015 neni 3 par,1 nënpar.1.13 thuhet “Nxënësit i ndalohet: “Bartja e uniformës fetare”. Përceptimi për uniformë mund të jetë i llojllojshëm, por uniformë fetare nuk paraqet shamia. Veshje e uniformë fetare janë ato çfarë ne shohim tek profesionistet që gjendet në objektet fetare, motrat e nderit, hoxhenicat e shumë kategori të tjera, po asesi nuk mund të trajtohet si uniformë fetare kur vajzat kanë të veshura uniformën e shkollës dhe në vete manifestojnë një bindje fetare që i pranohet në sferën private, publike, në institucione publike e kudo.
Gjykata Supreme shumë qartë ka sqaruar se nuk mundesh me vepruar çka të duash në shkolla, çdo veprim i karakterit fetar që ty të teket nuk mund ta manifestosh në hapësira shkollore. Rregullat e miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore, janë në përputhje me ligjin dhe me kompetencën e deleguar ligjore, dhe si të tilla nuk përbëjnë tejkalim të autorizimeve të dhëna nga ligjdhënësi.
Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014 dispozita nga neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13 thotë që gjen mbështetje në Ligjin nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në Ligjin nr. 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Nga këto dispozita rezulton se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën. Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet.
Një duhet ta kuptoj çdo njëri se karakterin laik të shtetit nuk mund ta cenoj kjo formë e manifestimit të bindjes fetare e cila siq u pa, garantohet nga vetë shteti.
Njërën nga të drejtat themelore që i garanton kushtetuta, është edhe e drejta për shkollim:
,,Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohet me ligj dhe financohet nga fondet publike. Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj”.
Ligji për Arsimim Parauniversitar në Republikën e Kosovës parasheh: ,,Asnjë personi nuk guxon t’i mohohet e drejta për arsimim.
Arsimi parauniversitar është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, institucioneve arsimore dhe aftësuese, komunave dhe qeverisë, sipas funksioneve dhe detyrave përkatëse të përcaktuara në këtë ligj.
Është obligim i përgjithshëm i Ministrisë, komunave, institucioneve arsimore dhe të gjitha organeve të tjera, të përfshira në ofrimin e arsimit parauniversitar, siç është rregulluar përmes këtij ligji dhe ligjeve të tjera në fuqi, që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor e social’’.
Edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e ndalon diskriminimin:
1. Shtetet palë angazhohen të respektojnë të drejtat e përmendura në këtë Konventë dhe të i’a garantojnë ato çdo fëmije, që përfshihet në juridiksionin e tyre, pa asnjë lloj dallimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, opinioni politik ose çdo opinion tjetër, nga origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, pasuria, paaftësia, prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijës ose prindërve të tij ose përfaqësuesve të tij ligjorë.
2. Shtetet palë marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim që fëmija të jetë efektivisht i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit ose ndëshkimit, për shkak të pozitës, veprimtarive, opinioneve të shprehura ose bindjeve të prindërve të tij, të përfaqësuesve të tij ligjorë ose të anëtarëve të familjes së tij.
Konventa për luftën kundër diskriminimit në lëmin e arsimit, në nenin 3 thotë: Me qëllim që të eliminohet dhe të parandalohet çdo dallim në kuptimin e kësaj konvente, shtetet palë të saj zotohen:
(a) Të anulojnë çdo dispozitë ligjore e administrative, si dhe të ndalojnë çdo praktikë administrative që do të përmbante ndonjë diskriminim në lëmin e arsimit;
(b) Të ndërmarrin masat e rastit, po që e nevojshme t’a bëjnë këtë me rrugë legjislative, në mënyrë që të mos bëhet asnjë dallim lidhur me pranimin e nxënësve në institucionet shkollore.
Përveç këtyre deklaratave dhe konventave ndërkombëtare, edhe Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj e ndalojnë diskriminimin e të gjitha llojeve
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
Ministra e Arsimit, me ketë ligj e detyron veten që të ofroj sistem të arsimit gjithëpërfshirës për secilin person në mënyrë të barabartë sipas aftësive jo diskriminuese, dhe angazhohet që të bëj avancimin e tyre nëpërmjet arsimimit cilësor.
,,Të promovojë sistem jo diskriminues të arsimit, në të cilin respektohen të drejtat e secilit person për arsim dhe aftësim, si dhe ofrohen mundësi të barabarta për arsim cilësor”.
• Diskriminimin e ndalon Ligji Për Mbrojtjen nga Diskriminimi – Ligji Nr. 05/L021. Ndalohet sjellja e ligjeve që cenojnë apo kufizojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.
• Detyrimi i dëmshpërblimit ndaj viktimave të diskriminimit.
Ligji Për Mbrojtjen nga Diskriminimi me nenin 16.1 dhe 16.2.2. ka paraparë që personat që kanë qenë viktimë e diskriminimit kanë të drejtë të kërkojnë të kompensojnë dëmin material dhe jomaterial të shkaktuar nga shkelja e të drejtave të mbrojtura me këtë ligj sipas padisë për dëmshpërblim.
• Mohimi ose kufizimi i lirive dhe të drejtave të njeriut paraqet vepër penale
Përveç kësaj, duhet thënë se Kodi Penal I Republikës së Kosovës me n. 193 ka sanksionuar kryerësit e veprave penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, me të cilat dispozita ligjore ka paraparë që kushdo që në mënyrë të kundërligjshme I mohon liritë apo të drejtat e banorit të Kosovës kryerësit e këtyre veprave do të dënohen edhe me burgim, dhe atë si vijon:
‘’Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i mohon ose i kufizon liritë apo të drejtat e cilitdo person të Republikës së Kosovës të parapara me Kushtetutë, ligj apo akte ndërkombëtare ose kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i jep ndonjë personi në Republikën e Kosovës çfarëdo privilegji ose përparësie mbi bazën e një dallimi ose përkatësie të tillë, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet. Neni 193.1.
“ Kushdo që i mohon ose ia kufizon pjesëtarit të një bashkësie etnike, fetare ose gjuhësore në Republikën e Kosovës të drejtën për shprehje të lirë të identitetit të tij ose për të gëzuar autonominë e tij, dënohet me burgim deri në një (1) vit. 193.2
“Kur vepra penale nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni kryhet nga personi zyrtar me keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet ”. Neni 193.4.
• Konventa Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore
Neni 9.1 “ Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.”
9.2:” Liria e shfaqjes së fesë ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.”
Neni 14: “ Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
Nga ajo që u tha gjer më tani, është e qartë se: Republika e Kosovës promovon dhe garanton liritë dhe të drejtat e njeriut, liria e besimit dhe e manifestimit te fesë është e garantuar, në Kosovë nuk ka ligj i cili ndalon bartjen e shamisë për nxënës e as për çfarëdo kategorie të shoqërisë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka ndaluar të kufizohet e drejta e lirisë së besimit, çështja e lirive dhe të drejtave të njeriut është rregulluar edhe me ligje tjera, liritë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare, Konventat ndërkombëtare kanë prioritet në zbatimin ndaj legjislacionit të Republikës së Kosovës.
Për nga hierarkia aktet nënligjore, udhëzimet administrative dhe Rregulloret tjera nuk guxojnë te jenë në mos pajtueshmëri me Ligjet e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës as me Konventat ndërkombëtare.
E drejta e shkollimit dhe ajo e besimit është e mbrojtur dhe e garantuar.
Kurse Udhëzimi Administrativ i cili ndalon bartjen e uniformës fetare nuk mund të keqpërdoret sipas tekeve individuale të asnjërit zyrtar. Ministria ka të drejtë të vendos kushte për uniformën kurse vajzat me shamia duhet ta respektojnë. Kaq është edhe roli organizativ e rrobaqepës i këtij udhëzimi, mos e bëni të madhe se edhe ashtu i ka pas humb kuptimi dhe u harrua. Por që të ri aktualizohet nuk e kisha besuar..
