PS fiton 83 mandate – Rama falënderon qytetarët dhe paralajmëron tubim në sheshin “Skënderbej”

Para 1 vit

Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka shpallur rezultatet zyrtare, ku Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate, duke i dhënë kështu një shumicë të qartë për formimin e qeverisë së re.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe ka paralajmëruar një takim me qytetarët në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”.

“Mirëmëngjes; dhe duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar, sonte në 7, në sheshin ‘Skënderbej’, ju falënderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Fitorja e Partisë Socialiste vjen pas një fushate intensive dhe një proces zgjedhor që është ndjekur me vëmendje brenda dhe jashtë vendit. Takimi i paralajmëruar në Tiranë pritet të jetë një manifestim festues i mbështetësve të PS-së, ndërsa pritet edhe një fjalim i Kryeministrit për të shpalosur prioritetet e mandatit të ri.