Prokuroria Speciale heton kontratat në veri – Artan Abrashi shpërthen: “Në vend të krimit, po luftojnë institucionet e Kosovës!

Para 11 muaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka reaguar pas njoftimeve se Prokuroria Speciale ka nisur hetime që lidhen me kontrata të qeverisë në veri të vendit, të cilat përfshijnë projekte për ndërtimin e urave dhe përmirësimin e lirisë së lëvizjes në atë zonë.

Abrashi e quajti këtë veprim “të turpshëm” dhe “për keqardhje”, duke thënë se në vend që të luftojë krimin e organizuar, Prokuroria po vihet në funksion të sabotimit të institucioneve të Kosovës.

“Është për keqardhje që prokurori, në vend që ta kryejë mandatin kushtetues për luftimin e krimit të organizuar, është vënë në funksion të luftimit të institucioneve të Kosovës,” u shpreh Abrashi.

Ai kritikoi ashpër faktin që hetohen kontratat që sipas tij kanë për qëllim shtrirjen e sovranitetit, ligjshmërisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në veri, duke theksuar se këto hetime janë të papranueshme dhe të padrejta.

“Fakti që dikush i sheh këto kontrata si shkelje të ligjit, nuk kam fjalë tjetër pos të shpreh mllef,” përfundoi deputeti.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur hetimet e Prokurorisë Speciale po zgjojnë debat të ashpër publik dhe politik, ndërsa qasja e qeverisë në veri mbetet një nga temat më të ndjeshme të momentit.